TIRANË- Vrasja e mëngjesit të sotëm në Institutin Bujqësor në Kamëz, dyshohet se ka ndodhur pasi viktima ka tentuar të kryejë veprime të turpshme me një vajzë dhjetëvjeçare banore e Institutit Bujqësor.
Ky fakt është konfirmuar për Report Tv, nga dëshmitarë të ndryshëm pranë godinës nr.8, në Institutin Bujqësor në Kamëz. Ata kanë pohuar se e kanë parë shpesh 50 vjeçarin Kanina të kryente veprime të tilla të turpshme apo të fuste në dhomën e tij një vajzë të mitur.
Arben Kanina 50 vjeç u gjet i vdekur mëngjesin e të dielës në dhomën e tij, në katin e parë të godinës nr.8, ndërsa ai banonte aty prej disa vitesh.
Ai është gjetur rreth orës 3:00 të mëngjesit nga pronari i dhomës i cili ia kishte dhënë me qira Kaninës, prej disa kohësh. Pronari emri i të cilit nuk bëhet i ditur është njoftuar nga Artan Marku, i cili është edhe autori i dyshuar i vrasjes së Kaninës.
Kur pronari mbërriti në dhomën e tij, gjeti qeraxhiun e tij të vdekur ndërsa njoftoi policinë. Fillimisht ngjarja u njoftua si vdekje natyrale, por se më vonë, ekspertët kriminalistë dhe mjekët- ligjorë konfirmuan se vdekja kishte ardhur si pasojë e hemorragjisë së brendshme e shkaktuar nga goditjet me sende të forta.
Policia në njoftimin e saj zyrtar konfirmoi se personat janë grindur mes tyre në momentin kur kanë qenë të dehur ndërsa sherri ka ndodhur për motive të dobëta.
Pavarësisht versionit zyrtar, burimet e policisë thanë se hetimet kanë konfirmuar se konflikti ka ndodhur për shkak të veprimeve të turpshme të viktimës me një vajzë banore të zonës.
Njoftimi paraprak i policisë
Më datë 28.02.2016, është gjetur i vdekur në banesë shtetasi Arben Kanina, 50 vjeç, banues në Tiranë. Në zonën e Institutit Bujqësor tek godina nr. 8, është gjetur i vdekur shtetasi Arben Kanina, i cili ishte endacak. Viktima ka pasur shenja dhune në trup.
Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet policore të Komisariatit Nr 3 dhe specialistë të Sektorit të Krimeve të Rënda të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, ku është bërë i mundur identifikimi autorit të kësaj ngjarje dhe më pas ndalimi i tij:
? Artan Marku, 46 vjeç, banues në Tiranë.
Shkak i kryerjes së kësaj vepre penale dyshohet të jetë një konflikt i nisur për motive të dobëta.Vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes