TIRANË - Opozita është ngritur në këmbë me deklarata të shpeshta dhe protesta kundër ndërtimit të këndit të lojërave për fëmijë në parkun e Liqenit Artificial të Tiranës, me akuzën kryesore: se në projekt përfshihet edhe ndërtimi i një lokali të madh që sipas tyre kryebashkiaku Veliaj ja rezervon miqve klientë të tij.
I ftuar në emisionin "Rreze Dielli" në Report Tv, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Arbian Mazniku tha se në momentet e para të diskutimit të masterplanit të Tiranës është folur edhe për ngritjen e një lokali, por ky projekt - siguroi ai - nuk do të ndodhë.
"Që në 14 tetor kryetari i bashkisë Erion Veliaj, zëvendëskryeministri Niko Peleshi prezantuan mastreplanin e Tiranës. Diskutohej për një projekt edhe me lokal, por një projekt i tillë nuk do të ndodhë sepse ndryshe nga momenti kur është dizenjuar aty kafe ka nga të gjitha anët", - u shpreh Mazniku.
Lidhur me protestën që shoqëria civile dhe përfaqësues të Partisë Demokratike mbajtën të dielën tek Liqeni në zonën ku do të ndërtohet parku i lojërave, Mazniku foli për dy anë të saj.
Sipas nënkryetarit të bashkisë, parku është mjedisor pasi parashikon mbjelljen e mijëra pemëve, proces i cili ka nisur prej ditësh nga ana e bashkisë në parkun e Liqenit. Ai shtoi se hyrja dhe cdo shërbim për argëtimin e fëmijëve në këtë hapësirë do të jetë falas.
Mazniku theksoi edhe nje here se leja per ndertimin e parkut eshte e ligjshme dhe eshte dhene ne 12 shkurt nga Keshilli Kombetar i Territorit.
Parku i lojërave tek Liqeni tha ai, do të jetë gati në ditët e para të qershorit, ndërsa projekti - tha Mazniku - është bërë nga një studio gjermane, një ndër më të mira në botë.
Lidhur me akuzat për ndërtimin e pallateve të reja në hyrje të parkut të Liqwnit, Mazniku tha se nuk do të ketë asnjë ndërtesë tjetër përveç godinave ekzistuese të gardës të cilat të do të rikonstruktohen.