Kreu i demokratëve Lulzim Basha në 25 vjetorin e rënies së bustit të diktatorit Hoxha e ka cilësuar të turpshme heshtjen e qeverisë në një ditë të shënuar si kjo. I pranishëm në në aktivitetin e mbajtur nga Partia Demokratike në Muzeun Kombëtarë Basha hodhi akuza ndaj qeverisë duke e cilësuar ate si më afër regjimit komunist se demokracisë dhe aspiratës europiane.
?Në këtë 25- vjetor, 20 shkurti ndan sërish dy modele, dy botë, dy rrugë për të ardhmen e vendit - Ne që shikojmë dhe mësojmë nga modeli i demokracive perëndimore dhe kundërshtarët tanë që kanë në mendje, pavarësisht se mundohen ta fshehin, adhurimin për modelin e diktatorit. Kjo nuk është retorikë. Siç u tha sot disa herë qeveria e sotme, pasi injoroi sa mundi festimet kombëtare për 25- vjetorin e Lëvizjes Demokratike në dhjetor të vitit të kaluar, nuk tha asnjë fjalë të vetme për ngjarjet shkurorëzuese të Enver Hoxhës në shkurt të vitit 1991, nuk organizoi asnjë veprimtari përkujtimore për 20 shkurtin epik.. Si është e mundur? Në cilin vend të hapur të botës mund të ndodhë që qeveria të heshtë për një ngjarje kaq të madhe dhe kaq të rëndësishme, kaq lavdi plotë për historinë dhe qytetarët e vendit që ajo qeveris?Heshtja e mbajtur nga qeveria dhe shefi i saj Edi Rama është e turpshme, është provokuese, është e dënueshme, është ogurzezë, është një heshtje që flet, flet shumë për raportin e tyre të vërtetë me trashëgiminë hoxhiste.Atyre nuk iu bën zemra; nuk mund të lartësojnë aktet e trimërisë të qytetarëve shqiptarë, siç është 20 shkurti. ?-tha Basha.