Vizita e Sekretarit Amerikan të Shtetit, John Kerry ndonëse pati një axhendë të ngjeshur takimesh dhe kaloi pa asnjë incident, duket se ka përplasur Kryeministrin, Edi Rama me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani.
Një natë më parë, Kryeministri Rama ka shprehur keqardhje për daljen e Presidentit Nishani në aeroportin e Rinasit, por Presidenti i Republikës, Bujar Nishani e ka konsideruar deklaratën e Kryeministrit Edi Rama, për pritjen e tij rezervuar në aeroportin e Rinasit të Sekretarit Amerikan të Shtetit, John Kerry si të papërgjegjshme, duke shtuar se kjo është një fyerje për vetë atë dhe Sekretarin Kerry.
Presidenti Nishani, në reagimin e tij, pas deklaratës së Kryeministrit në emisionin "Dritare? në Vizion Plus, thotë se pritja e bërë nga Nishani në Rinas ishte një kërkesë e Ambasadës Amerikane në Tiranë, ndërkohë që i kërkon Ramës që të tërheqë këtë deklaratë fyese dhe spekulative, pasi një qëndrim i tillë nuk përfaqëson nderimin dhe mirënjohjen që shqiptarët anembanë botës kanë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe popullit amerikan.