Sot rreth 34 mijë anëtarë të PS në katër qarqe votojnë për zgjedhjet e 336 delegatëve të cilët do të përfaqësojnë bazën e Partisë Socialiste në qarqet: Korçë, Elbasan, Fier dhe Berat, në Kongresin që do të mbahet në muajin mars.
Procesi zgjedhor i 1500 delegatëve të cilët do të përbëjnë Kongresin Zgjedhor të PS-së do të zhvillohet për tre të shtuna rresht, duke filluar nga kjo e sotmja do të ketë votim ku është i ftuar çdo anëtar i PS-së. Katër qarqe do të votojnë sipas parimit "një anëtar një votë" gjatë kësaj dite, përkatësisht qarku i Korçës, Elbasanit, Fierit dhe Beratit.
Anëtarët e partisë në njësitë përkatëse kanë pasur mundësi të marrin pjesë në votim që nga ora 8 e mëngjesit.
Në zgjedhjet e ditës së sotme konkurojnë afro 1000 kandidatë për delegatë të Kongresit të propozuar nga anëtarësia e partisë e 23 bashkive në përbërje të të cilave janë 151 njësi administrative. Sipas kritereve të përcaktuara në Asamblenë e muajit korrik, 50 për qind e kandidaturave janë femra dhe një e treta e tyre janë të moshës 18-25 vjeç.
Partia Socialiste e Tiranës dhe Durrësit do të votojë në 20 shkurt, ndërsa Shkodra, Lezha, Kukësi dhe Dibra do të votojnë në 27 shkurt.
Në këtë proces do përfshihen 122 mijë anëtarë të 12 qarqeve të Shqipërisë.
Vetë kryeministri Rama ka monitoruar procesin e votimit në Fier e Elbasan duke parë nga afër votimet që kanë bërë anëtarët.