Niveli i lartë i TVSH-së, por dhe rritja e fundit e taksave vendore kanë vënë në vështirësi sektorin turistik shqiptar. Në një takim me përfaqësues të Ministrisë së Zhvillimit të Ekonomisë dhe Turizmit, operatorët turistikë thanë se nivele kaq të larta taksash e bëjnë Shqipërinë jokonkurente me rajonin, sidomos duke parë infrastrukturën e dobët të shërbimeve që ofron vendi ynë.
Nga ana e tij, Kreu i Agjencisë Kombëtare të Turizmit Ardit Çollaku, tha se në shumë zona turistike hasen abuzime me çmimet nga ana e operatorëve, ndërkohë që në shumë zona problem mbetet informaliteti.
Në takimin me Operatorët Turistikë, Ministria bëri publik planin e masave për sezonin veror në bashkëpunim më të gjitha institucionet. Në emër të rritjes së sigurisë për Turistët, janë marrë masa që të monitorohen me kamera të gjitha rrugët me preçedentë krimesh gjatë viteve të shkuara.