TIRANE - Demokratët duket se janë tërhequr nga debati i nxehtë i deri pak javëve më parë për votimin me 2/3 të drejtuesve të institucioneve të drejtësisë në vendin tonë, përballë shumicës të cilësuar me 3/5-at e deputetëve që kërkonte mazhoranca. Sikundër deklaroi këtë të hënë kreu demokrat Basha pas takimit që pati me eurodeputetët Kukan dhe Fleckenstein, se "opozita është për dialog pa kushte me mazhorancën", kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Edi Paloka u shpreh në "5 Pyetjet nga Babaramo" se në thelb të bashkëpunimit për reformën në drejtësi është vetëm konsensusi.
"Ne kemi të panegociueshme konsensusin. Idea është që të bëhet me konsensus, dhe këtë e tha edhe Komisioni i Venecias. Sepse për numrin e votave nesër mund të vijë një parti që të marrë 110 deputetë, e të vendosë cfarë ligji të dojë, se ky është mentaliteti i Ramës që e tregon tek partia e tij. Thelbi është konsensusi, jo nurmi i votave në Parlament. Nëqoftëse arrihet ky konsensus, atëherë kemi një reformë të qendrueshme. E tha edhe Venecia: Nuk është i rëndësishëm numri i atyre që do e votojnë, por dakordësia mes palëve politike", u shpreh Paloka.