Komisioni i Sigurisë Kombëtare, ka nisur sot shqyrtimin e projektligjit të qeverisë për regjistrimin e emigrantëve. I pranishëm në komision, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri tha se ky ligj synon që shteti t'u japë shërbime qytetarëve jashtë vendit, duke filluar së pari me të drejtën e votës, që sipas ministrit mund të arrihet që në zgjedhjet e ardhshme. Deklarimi i adresës së emigrantëve është vullnetar dhe elektronik, e nuk përjashton sipas ministrit ata emigrantë që janë të paligjshëm.
Mirëpo, neni 11 i këtij ligji që parashikon që në rast mos deklarimi të adresës, qytetarit nuk i jepen shërbime publike, u kundërshtua nga të gjithë deputetët, dhe palët ranë dakord ta ndryshojnë atë.
Opozita e quajti këtë ligj një përpjekje për të përndjekur qytetarët.
Tahiri: Jemi të paktët vende në botë që nuk dimë saktë sa jemi e ku banojmë. Mungon lidhja mes shtetasit dhe adresës. Po bashkojmë regjistrin e gjendjes civile me adresën. Ka sjellë shumë probleme kryesisht me heqjen e së drejtës së votës. Ne kemi emigracion historik. Emigrantët vuajnë për të marrë shërbime nga shteti shqiptar. Janë 275 mijë fëmije shqiptarë të lindur jashtë vendit. Synojmë t'u japim të drejtën e votës që në zgjedhjet që vijnë, për tu dhënë mundësinë të ndikojnë në fatet e vendit ku ata janë kontributorë.