TIRANË - Në pritje që në 28 janar Kuvendi të miratojë emrat e të 10 anëtarëve që do të bëjnë reformën zgjedhore, liderët politikë kanë artikuluar idetë kryesore mbi të cilat do të ndryshohet kodi elektoral.
Listat e hapura për kandidatët për deputetë, ishte ky një propozim i LSI-së, i cili sjell ndryshimin e parë të sistemit zgjedhor që prej vitit 2008. Në këtë mënyrë kandidatëve do t?u duhet të përballen me elektoratin, pavarësisht preferencave të liderëve partiakë. Kjo do të thotë se në zgjedhje, qytetarët nuk do të votojnë vetëm për partinë që ata duan të fitojë zgjedhjet dhe të vijë në pushtet, por edhe me emër për deputetin me të cilin ata duan të përfaqësohen në Kuvend.
Edhe për financat e partive, Lëvizja Socialiste për Integrim propozoi të ndiqet shembulli i aplikuar prej saj, deklarim të shpenzimeve të çdo aktiviteti të kryetarit të partisë dhe aktivistëve të saj si dhe publikim online i çdo financimi të partive.
Pikërisht tek reduktimi i financave dhe transparenca e tyre, kanë qenë dakord të 3 liderët e partive kryesore në vend.
Ndërsa kryeministri Edi Rama propozoi heqjen e reklamave elektorale, kryedemokrati Basha ka shkuar edhe më tej duke hedhur idenë e heqjes së donacioneve private për partitë. Kjo formë financimi privat për politikën , sipas tij me ndryshimin e Kodit Zgjedhor, duhet të përbëjë vepër penale.
Një tjetër propozim i rëndësishëm i hedhur në tryezën për korrupsionin zgjedhor, nga kryeministri Rama ishte dhe ai për të depolitizuar komisionet zgjedhore. Nuk dihet ende nëse kjo ide do të prekë dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve apo vetëm ato të niveleve të dyta dhe të treta, por do të shënojë një dalje nga tradita shume vjeçare e menaxhimit të zgjedhjeve në vendin tonë.
2 pika të padiskutueshme ku PD-PS e LSI ishin dakord, ishin përfshirja në Kod Zgjedhor e rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe përmbyllja e kësaj reforme me konsensus të plotë.
Ndryshimet e fundit në Kodin elektoral datojnë para zgjedhjeve vendore të 2015-ës ku u bënë përshtatje teknike të hartës së re territoriale me kodin.