TIRANË - Ndoshta kjo është hera e parë që Vangjel Dule vjen në selinë e re të partisë demokratike, pasi para zgjedhjeve parlamentare të 2013-ës u shkëput nga koalicioni i djathtë që drejtohej nga Sali Berisha dhe u vendos krah aleatëve të majtë. Pakënaqësitë e shfaqura në raport me koalicionin e ri të PS me PDIU para zgjedhjeve lokale të vitit që lamë pas, mund të jenë arsyeja për krijimin e një aleance të re me Partinë Demokratike.
Vangjel Dule është parë sot në selinë e PD, ndërsa burime për REPORT TV konfirmojnë se kryetari Lulzim Basha e ka pritur atë në një takim që ka zgjatur rreth 30 minuta . Ndoshta kjo mund të jetë një tentativë e kryetarit të PBDNJ për t'iu bashkuar kampit të djathtë, edhe në kohën kur palët politike do të ulen tashmë për reformën zgjedhore.