Report TV - "PS-ja po jepet me koncesion" Blushi: Nuk ka parti pa zgjedhje

Report TV 2016-01-25

Views 0

TIRANE - Deputeti kritik brenda Partisë Socialiste Ben Blushi ka ngritur sërish shqetësimin e mos zhvillimit të zgjedhjeve në parti, ku prej vitit 2009 Edi Rama, njëherësh kryeministër, mban postin e kryetarit të PS-së, duke tejkaluar me 3 vjet mandatin 4-vjeçar.

Në një prononcim për mediat në përfundim të mbledhjes me dyer të mbyllura të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Blushi tha se shpreson që mbajtja e Kongresit të partisë të ndryshojë situatën.

Nuk është hera e parë që deputeti Ben Blushi kritikon ashpër partinë e tij dhe kryetarin Rama, apo edhe marrëdhënien mes koalicionit qeverisës.

Deputeti tha se nuk është i vetmi që ngre zërin e kritikës në PS, pasi edhe anëtarë të tjerë të grupit, kanë paraqitur në mbledhjen e kësaj të hëne kërkesat e tyre.

"Sot u kërkua të ketë analizë të qeverisë, e kërkuan anëtarët e Partisë Socialiste, kërkuan të ketë zgjedhje, kongres. Ju mendoni që jam i vetmi, nuk është kështu, dy tre kolegë folën në grup për të njëjtën gjë", u shpreh Blushi.

I pyetur nga gazetarët, nëse janë të domosdoshme zgjedhjet e parakohshme që PD kërkon të mbahen, Blushi përgjigjet: Jo nuk është nevoja.

Mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste u mbajt pa praninë e kryeministrit Edi Rama, dhe u drejtua nga nënkryetari socialist Gramoz Ruçi. Kongresi i PS-së pritet të mbahet në muajin mars, por ende nuk është caktuar një datë.

Share This Video


Download

  
Report form