TIRANË - LSI kërkon konsensusin e PD për reformën në drejtësi sepse nuk ka besim tek aleati i tij në koalicion Edi Rama . Deklarata ka ardhur nga kryetari i PDS-se Paskal Milo në një intervistë në emisionin "Rreze Dielli".
....
Kreu i Partisë Demokracia Sociale Paskal Milo, aleat i qeverisë Rama, shprehet skeptik për realizimin e reformës në drejtësi në Shqipëri. I ftuar në Report Tv, Milo thotë se pengesat më të mëdha politika po i krijon rreth "betejës" për emërimet e reja në sistemin gjyqësor.
Sipas kreut të PDS-së, aleati kryesor në qeverisje, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta, është duke kërkuar me ngul konsensusin e demokratëve, për shkak se sipas Milos, nuk ka garanci vetëm tek kryeministri Edi Rama.
Lidhur me raportin mes dy aleatëve Rama-Meta, Paskal Milo shprehet se marrëdhënia mes tyre është e minuar - ndaj, thekson ai - të dy janë të kujdesshëm për të mos hedhur asnjë hap të gabuar.
Pas dy ditëve takime në Tiranë, ekspertët e Komisionit të Venecias deklaruan të shtunën se zgjedhja e drejtuesve të sistemit të drejtësisë është brenda standardeve edhe nëse bëhet me shumicë të cilësuar në Kuvend, ashtu edhe me shumicë të thjeshtë siç kërkon opozita.
Në muajin mars ata pritet të japin rekomandimet përfundimtare për reformën në drejtësi, pasi morën në analizë draftin e ekspertëve të nivelit të lartë i cili u ndërtua pikërisht mbi propozimet paraprake të Komisionit të Venecias.