http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Edhe pse kredia në ekonomi vazhdon të tkurret, fitimi i bankave për 6 muajt e parë të këtij viti shkon në 83 milion dollarë. Kjo shifër duket deri diku paradoksale, pasi paratë që shkojnë në llogaritë e 16 bankave që operojnë në Shqipëri duhet të rriteshin nëse rritej kredidhënia, por arsyetimi është një tjetër: ngrirja e interesave bankare për ata që kanë tashmë një hua për të paguar, po mban këtë bilanc financiar të bankave në këto nivele. Nëse shohim tabelën e publikuar nga Banka e Shqipërisë, për rezultatet e 6-mujorit të sistemit bankar, shpenzimet e bankave të cilat klasifikohen si para që ato japin për interesin e depozitave janë 75 milion dollarë, ndërsa të ardhurat që vijnë nga kreditë shkojnë në 310 milion dollarë. Kjo diferencë duket e pabarabartë, pasi qytetarët, të cilët lenë para në banka fitojnë një interes minimal, i cili në fund të qershorit shkoi në 1.5%, ndërsa interesat mesatarë të kredisë ishin në nivelet 9.2%. Edhe pse Banka e Shqipërisë ka ulur disa herë rresht normën e interesit të lekut, me sa duket kjo lëvizje vetëm ka shtuar fitimet e bankave, të cilat krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti i kanë shtuar ato me 53%. Qëllimi kryesor në lëvizjet monetare që bëri Banka Qendrore ishte ulja e kostove të kredisë, por në fakt ulja e normës së interesit uli përqindjen që marrin qytetarët nga kursimet e tyre në banka.