http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Orët e fundit kanë shënuar katër aksidente me pasojë vdekjen në rrugët e vendit.
Përplasja me një shtylle në aksin rrugor Laç-Fushë-Krujë ka çuar në humbjen e jetës së drejtuesit të makinës Anton Lleshi. Nga shpejtësia e lartë me të cilën udhëtonte, 19-vjeçari nga laçi nuk ka mundur të kontrollojë automjetin e për pasojë ka dalë nga rruga. Nga aksidenti kanë mbetur të plagosur edhe dy persona të tjerë që ndodheshin në makinë, njëri prej të cilëve vëllai i viktimës Petrit lleshi. Por te lënduarit janë jashtë rrezikut për jetën.
Një tjetër aksident ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së te martës në të njëjtën superstradë. shpejtësia i ka marrë jetën edhe 28-vjeçarit po nga Laçi, Eduard Cakoni. Nga përplasja e makinës qe doli nga rruga, i riu dhe dy shoqëruesit e tij ne makine, janë plagosur rëndë.
Fluksi i lartë i automjeteve dhe shpejtësia shënoi një tjetër viktime, këtë radhe në rrugën e Kombit. Pesë autovetura janë përplasur me njëra tjetrën në afërsi të hyrjes së tunelit të Kalimashit. Për pasojë mjeti me të cilin udhëtonin katër të afërm nga Kosova është përplasur me trafikndarësen duke i shkaktuar vdekjen drejtuesit Liridon Fejza 21 vjeç nga Mitrovica.
Edhe në aksin rrugor Kakavijë - Gjirokastër mëngjesin e të mërkurës automjeti me targa greke që drejtohej nga Grigor Magllara ka përplasur një grua e cila po kalonte rrugën në këmbë. Në gjendje të rëndë 40-vjeçarja nga Libohova është transportuar me helikopter në Tiranë, por pavarësisht ndihmës mjekësore nuk ka mundur të mbijetojë. Sipas policisë shkak i aksidentit ishte shpejtësia e larte dhe shkelja e rregullave te qarkullimit nga drejtuesi i automjetit.