http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Blloku i partive opozitare në Kosovë, shpreh vendosmërinë për krijimin e qeverisë së re. Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, i cili sipas marrëveshjes së 10 qershorit, është kandidat për kryeministër të Kosovës, tha sot se tashmë nuk ka kthim në pikën zero. Zoti Haradinaj foli pas një takimi me kryetarin e ri të Parlamentit, Isa Mustafa, i cili njëherësh është edhe lideri i LDK-së, si dhe me kreun e Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj. Tema kryesore e takimit ishte diskutimi për hapat e ardhshëm të këtij koalicioni për ngritjen e institucioneve të reja. Haradinaj, i cili duket se e ka garantuar aleancën me minoritetet, nuk përjashtoi as mundësinë e bashkëpunimit me lëvizjen " Vetëvendosje". Krijimi i qeverisë së re në Kosovë, për momentin është i bllokuar. Presidentja Jahjaga ka njoftuar se nuk do të mandatojë kabinetin e ri, pa u shprehur më parë Gjykata Kushtetuese për kërkesën e PDK-së, për pavlefshmërinë e seancës parlamentare të së enjtes së kaluar. Në seancën konstituive, Isa Mustafa u zgjodh kryetar i Kuvendit, në kohën kur PDK kishte braktisur sallën dhe drejtuesja e seancës, deputetja e PDK-së Brovina e kishte mbyllur atë.