http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Kryeministri Edi Rama, në një intervistë për televizionin prestigjioz "France 24" është ndalur tek arsyet, që sipas tij, bënë që Shqipërisë të mos i jepej statusi i vendit kandidat, që në dhjetor të vitit të kaluar. Zoti Rama bisedoi me gazetarët e "France 24", në një kohë kur pas pak ditësh pritet një vendim i vendeve anëtare të BE-së për dhënien e statusit, dhe një turi lobimesh nga ana e zyrtarëve shqiptarë. "Refuzimi i dhjetorit ishte i lidhur me zgjedhjet e Bashkimit Europian. Është ky problemi më i madh i projektit europian sot, sepse Europa është bërë taktike, e lidhur me fatin e zgjedhjeve të vendeve anëtare dhe zgjedhje pas zgjedhjesh, bëhet gjithmonë e më pak strategjike. Gjithashtu, në muajin dhjetor ne ishim në krye të qeverisë prej tre muajsh pas zgjedhjeve që fituam nga vota e lirë e popullit dhe rezultati ishte i qartë, por vendet anëtare kishin nevojë për më tepër kohë dhe iu kërkua Komisionit të ndiqte këtë proces deri në qershor dhe të paraqiste një Raport Progresi pak të veçantë për qëndrueshmërinë e luftës ndaj kriminalitetit dhe korrupsionit." Kreu i qeverisë theksoi se Shqipërisë i duhej dhënë statusi që në dhjetor, pasi kjo nuk nënkupton anëtarësim. "Mendoj se Shqipëria duhej ta kishte marrë statusin në muajin dhjetor. Nuk i ka bërë aspak mirë as Shqipërisë, as rajonit, që nuk e mori menjëherë. Sepse në fund të fundit statusi nuk është anëtarësim. Anëtarësimi do të jetë pas 10 vjetësh, por është një etapë shumë e rëndësishme për të filluar nga puna seriozisht për këtë proces modernizimi. Një proces, që mund të jetë i një cilësie shumë të mirë falë negociatave dhe këtij instrumenti integrimi, që është unik dhe i paçmueshëm." Pyetjes së gazetares nëse Shqipëria nuk favorizohet për integrimin europian për shkak të përkatësisë islamike, Rama iu përgjigj: "Ne nuk jemi një vend mysliman, por jemi një vend europian, ku ka myslimanë dhe të krishterë, që jetojnë bashkë. Jemi një vend unikal për këtë, në kuptimin që, të krishterët festojnë Ramazanin dhe për Krishtlindje myslimanët festojnë si të krishterët. Për Europën kjo Shqipëri është një pasuri." Zoti Rama theksoi se në Shqipëri është duke u ndërtuar një shtet i së drejtës. Objektivi i madh, shpjegon kryeministri, është realizimi i reformës në sistemin e drejtësisë, e cila duhet të bazohet në vlerat dhe parimet e mekanizmat e një vendi europian.