http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Pamje të tilla ku pushuesit rrinë ngjitur me njëri tjetrin gjatë brezit të rërës janë të zakonshme në plazhin e Durrësit, por ministrja e Turizmit dhe Zhvillimit Urban Eglantina Gjermeni ka premtuar se këtë vit situata do të jetë krejt ndryshe. Sipas planit të masave që ajo ka shpallur rreth 3 javë më parë, raporti mes territorit të plazhit privat dhe atij publik do të jetë 80 me 20 %, ndërsa shezllonet do të jenë jo 7.5 metër larg nga bregu i detit dhe çadrat 2.5 metër larg njëra-tjetrës. Po ashtu plazhet private do të kenë detyrimisht dy mjedise për ndërrimin e rrobave dhe dy dushe për shpëlarje me ujë të ëmbël. Por pushuesit dhe ata që banojnë në plazh kanë pak besim se ky projekt i Ministrisë së Turizmit do të zbatohet në praktikë. Nga ana tjetër, ndërmarrja komunale e plazhit në Durrës thotë se gjithçka është gati për këtë sezon turistik. Sipas drejtorit Alfred Dhuli këtë vit nuk bëhet fjalë për ndotje të plazhit as nga ujerat e zeza dhe as nga mbetjet urbane apo plehrat që mund të grumbullohen nga numri i madh i pushuesve. Sezoni turistik në plazhin e Durrësit është hapur 10 ditë më parë, ndërsa këtë vit pritet të instalohen edhe kullat e vrojtimit, të cilat mungojnë prej vitesh. Të dhënat zyrtare të vitit të kaluar flasin për 1.5 milion turistë në nivel qarku, ndërsa këtë vit pritet që kjo shifër të shkojë më shumë se 2 milion.