http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Në parkun kombëtar të Valbonës është çelur sezoni turistik për këtë zonë në një ceremoni ku kanë marrë pjesë autoritetet lokale si dhe turistë nga vendi dhe të huaj. Kryetari i komunës Margegaj ku bën pjesë kjo zonë turistike tha se problem mbetet rruga e pa përfunduar çka mund të ndikojë negativisht tek turizmi. Ndërsa prefekti i qarkut të Kukësit, Safet Gjici tha se do të kërkojë në qeveri shtrimin me asfalt të 11 km rrugë që të çon në Valbonë. Ndërkohë, kreu i qarkut Ibsen Elezi tha se një bashkëpunim shumëpalësh do të ndikojë shumë pozitivisht në zhvillimin e sektorit të turizmit në Valbonë dhe pikat e tjera turistike në qarkun e Kukësit. Nga ana e tyre, banorët e Luginës së Valbonës, kanë shtuar kapacitetet e tyre,për akomodimin e turistëve. Çelja e sezonit turistik është shoqëruar me prezantimin e kulturës, traditës dhe zakoneve të banorëve të kësaj zone, ndërkohë që është promovuar edhe turizmi ujor, në liqenin e Fierzës, i cili realizohet përmes mjeteve lundruese. Parku kombëtar "Lugina e Valbonës" ndodhet në rrethin e Tropojës, 25 deri 30 km në veriperëndim të qytetit Bajram Curri. Dhe ka një sipërfaqe prej 8 mijë hektarësh. Lugina nis nga Qafa e Valbonës, në perëndim, dhe përfundon në luginën e Drinit, në jugperëndim, pranë digës së hidrocentralit të Fierzës.