http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Të gjithë ata që paguajnë kontribute për pagën deri në 90 mijë lekë edhe pse e kanë atë më të lartë, nga janari i 2015-ës do të derdhin para për vlerën reale të rrogës. Kështu nëse dikush e ka pagën 100 mijë lek, sot paguan për sigurimin shoqëror 10 mijë lek, ndërsa pas hyrjes në fuqi të reformës së re do të paguajë 11 mijë e 500. Ministri Veliaj, në një mbledhje të një grupi pune ndërministror tha se nuk do të preket asnjë qytetar që është afër moshës së daljes në pension. Sipas kësaj ministrie, me këtë reformë të re nuk do të synohet rritja e moshës së daljes në pension por lufta kundër informalitetit. Ndërkaq drejtuesja e Institutit Të Sigurimeve Shoqërore, Vjollca Braho, propozoi barazimin e moshës për daljen në pension mes meshkujve dhe femrave. Si ministri përgjegjës i kësaj reforme Veliaj ndau detyrat për çdo institucion duke i lënë afat 15 shkurtin ISSH-së dhe ministrisë së financave të dorëzojnë draftin me ndryshimet ligjore dhe formulën e re të llogaritjes së pensioneve. Deri në muajin mars do të ketë disa variante të cilat do të shkojnë për votim në parlament deri kur të marrin konsensusin e grupeve të interesit.