http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Udhëtimi nga Athina për në Tiranë ka përfunduar në një tragjedi, pasi 1 nga 22 pasagjeret e kësaj linje ka ndërruar jete, pasi autobusi i tyre është qëlluar me armë nga persona ende të panjohur rreth orës 1 e 20 minuta të ditës së sotme në afërsi të Tepelenës në vendin e quajtur Mogila. Për pasojë 23-vjeçari nga Elbasani Laurent Tabaku, kishte marre plagë të rënda në gjoks dhe ka ndërruar jete pasditen e te hënës ne spital. Ndërkohë që është lënduar më lehtë në fytyrë një 19-vjeçare nga Fieri. Pasagjerët tregojnë se kanë qenë në gjumë kur janë dëgjuar krisma. Të terrorizuar ata i kanë kërkuar drejtuesit të autobusit që të vijojë rrugën me shpejtësi pavarësisht të shtënave që shoqëronin minutat e tmerrit. Në Beraj të Mallakastrës autobusit i ka dalë përpara patrulla e policisë, së cilës i është bërë edhe njoftimi për ngjarjen. Shoferi i autobusit i ka deklaruar policisë se ka dëgjuar vetëm krismat, por nuk ka parë personat që kanë qëlluar. Sipas pasagjerëve, grabitësit kanë qenë më shumë se dy persona, pasi është qëlluar me armë nga përpara dhe nga dy anët e autobusit. Ata thanë se në momentin e ngjarjes, autobusi po ecte ngadalë, për shkak të rrugës së keqe, ndërsa ata kanë mundur të shohin vetëm njërin nga personat që qëlluan. Ndërkohë, efektivët e komisariatit të Tepelenës, si dhe dhjetëra forca të drejtorisë së Policisë së Gjirokastrës bashke me dy grupe të FNSH-së po krehin zonën në Mogila për kapjen e autorëve. Deri tani janë shoqëruar në polici 10 persona te dyshuar, ndërsa vijon kontrolli i zonës dhe shoqërimi i personave të tjerë të dyshuar, të cilët janë të njohur si problematikë nga policia dhe me precedentë të mëparshëm penalë.