http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Banka Botërore do të financojë 85.3 milionë dollarë për hapjen e puseve të reja për nxjerrjen e ujit, stacionin e ri të pompimit si dhe ndërtimin e një tubacioni të ri të ujit të pijshëm me gjatësi 65 km nga Fushë Kuqja e Laçit deri në Durrës. Marrëveshja u firmos sot në bashkinë e Durrësit me praninë e drejtoreshës së Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor Ellen Goldstein dhe kryeministrit Edi Rama. Zonja Golstein, theksoi në fjalën e saj se popullata e Durrësit është trefishuar pas vitit 1990, por jo sasia e ujit. Ajo shtoi se situata aktuale e furnizimit me ujë nuk është pozitive, me vetëm 6 orë në ditë, ndërkohë që vetëm 30 perqind e sasisë së ujit humbet rrugës dhe po kaq nuk paguhet. Ndërsa kryeministri Rama u shpreh për një reformë rrënjësore në sistemin e Ujësjellës Kanalizimeve. Rama gjithashtu foli edhe për ndotjen e detit nga ujërat e zeza, një shqetësim i përhershëm i pushuesve në Bregdetin e Durrësit. Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako tha se ky investim është mjaft i rëndësishëm për ekonominë dhe turizmin e rajonit të Durrësit. Sipas tij, Durrësi e ka pritur prej shumë vitesh këtë projekt, por nuk është bërë i mundur për shkak të kontradiktës midis pushtetit lokal dhe qeverisë së kaluar. Kryeministri Rama fillimisht ka inspektuar impiantin e përpunimit të ujërave të zeza në Shën Vlash, i cili përfundoi një vit më parë dhe tashmë një pjesë e ujërave të zeza përpunohen në këtë impiant.