http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Ndryshimi kryesor është tatimi mbi pagën, në të cilin, pritet të favorizohen rrogat nën 90 mijë lekë në muaj, dhe të penalizohen ato mbi këtë kufi. Nga ana tjetër, ministria e Financave ka dy skenarë për të rritur taksën e qarkullimit të automjeteve, një taksë që aplikohet mbi karburantin. Një variant është që taksa mbi naftën të rritet serish me 5 lekë ndërsa për benzinën me 4 lekë, ndërsa varianti i dytë është me 7 lekë për të dyja. Kjo ndërhyrje pritet të shoqërohet me rritje të çmimit të karburantit, minimalisht me 5 deri në 7 lekë për litër. Ndërsa të gjithë ata që kanë një shtëpi të dytë, do të paguajnë dyfishin e taksës së pasurisë që paguajnë aktualisht. Ekspertet janë në një mendje për sa i përket rritjes, por ata nënvizojnë se çdo ndryshim duhet të jetë i harmonizuar mes individit dhe biznesit. Nga ana tjetër ministria e Financave ka në plan që të ndryshojë edhe tatimin mbi vlerën e shtuar, për një sërë shërbimesh: në arsim, hoteleri dhe shëndetësi, por ajo që ndikon direkt në jetesën tone është tatimi mbi produktet bazë të jetesës, si sheqer, vaj, oriz etj. Pjesë e ndryshimeve janë edhe taksat mbi biznesin. Kategoria e biznesit të madh pritet të paguajë më shumë tatim-fitimi. Nga këto rritje taksash qeveria parashikon të mbledhë rreth 18 miliardë lekë më shumë. Por këto ndryshime janë skenarët e ministrisë së Financave, të cilat pritet të miratohen në qeveri, ndërsa zyrtarizimi i tyre varet edhe konsultimet me Fondin Monetar Ndërkombëtar.