http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Masakra ndaj trashëgimisë sonë kulturore nuk ka të ndalur. Siti arkeologjik i Amantias është bërë sërish pre e grabitjeve të personave të papërgjegjshëm, të cilët pas shkatërrimit të kryer në pranverë dhe përgjatë muajve të verës, nuk e kanë kursyer këtë pasuri të çmuar, as në ditët e para të tetorit. Dy studiuesit e rinj, Elio Hobdari dhe Jamarbër Buzo kanë vënë re dëmtime të mëdha të varreve monumentale dhe të nekropolit veriperëndimor, me pasoja të rënda për këtë qendër arkeologjike. Dëmtimet e kryera herëpashere në këtë Park Arkeologjik, janë denoncuar shpeshherë nga arkeologët, por deri më tani askush nuk është vënë përpara përgjegjësisë për këtë dhunim të kulturës sonë. Jamambër Buzo, shprehet se duhet forcuar ligji për këtë kategori krimi, ndërsa shton se fenomeni që po bëhet shqetësues në disa parqe arkeologjike nuk është i rastësishëm. Arkeologët thonë se duhet një koordinim më i madh mes tyre, policisë dhe pushtetit lokal për të ruajtur këto thesare të kulturës shqiptare. Amantia është një nga qendrat arkeologjike më të rëndësishme në territorin e Shqipërisë dhe një nga të parat që ka tërhequr vëmendjen e arkeologëve.