http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Kompania kanadeze "Bankers Petroleum Ltd", që operon në tregun e naftës në Shqipëri paditet në gjykatë për shkelje të kontratës. Është kompania "British Petrolium", që ka depozituar një çështje në Gjykatën Ekonomike të Anglisë dhe Uellsit. Lajmi konfirmohet edhe në faqen zyrtare të "Bankers", përmes një deklarate për mediat. Referuar padisë që ka bërë kompania angleze e naftës, mes 2 kompanive ka mosmarrëveshje mbi ndërprerjen e një kontrate të shitjes të naftës së papërpunuar nga "Bankers". Shoqëria "British Petrolium" pretendon se filiali i "Bankers" që operon në Shqipëri, theu padrejtësisht kontratën. Ajo kërkon një dëmshpërblim të konsiderueshem prej 54 milion dollarësh. Dhe nëse firma angleze e fiton procesin, mbi bazën e marrëveshjes hidrokarbure që firma "Bankers" ka me palën shqiptare, 50 % e kësaj shume, pran plot 27 milion euro, do të paguhen nga buxheti i shtetit. Por kampania kanadeze, pretendon se është brenda të drejtave te saj ligjore për të ndërprerë kontratën. Për më tepër, thuhet në reagimin e "Bankers", në çdo rast vlerësimi i dëmeve nga kompania angleze është i ekzagjeruar. Në përballjen në gjykatë do të mbrojmë fuqimisht pretendimet tona, thekson kompania. Por kompania nuk ka vetëm përplasje me kompani të huaja. Banorët e zonës së Patoz--Marinzës në Fier, ku ushtron veprimtari shoqëria, prej disa vitesh protestojnë për dëmtimet e banesave si pasojë e tërmeteve që besohet se provokohen nga punimet e firmës nëntokë. "Bankers Petroleum Ltd", është kompani kanadeze, e fokusuar në prodhimin e naftës dhe rezervave të gazit. Në Shqipëri, ajo operon dhe ka të drejta të plota për të zhvilluar fushën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës dhe Kuçovë.