Nëse në Shqipëri, dhuna kundër gruas, e cila ka degjeneruar shpesh kohët e fundit në vrasjen e tyre nga bashkëshortët, po kthehet në fenomen të frikshëm dhe shteti nuk po bën asgjë për ta ndalur, në Itali është ndryshe. Qeveria e kryeministrit Enriko Leta miratoi një ligj me 12 nene këtë të enjte, në të cilin parashikohen masat që merren për parandalimin dhe ndëshkimin e këtij krimi. Disa nga masat e autoriteteve parashikojnë mbajtjen larg shtëpisë të bashkëshortëve që dhunojnë gratë, arrestimin në flagrancë të personave në fjalë, si dhe shtimin e masave të dënimit. Në ligj parashikohet edhe sigurimi i një lejeje qëndrimi për gratë emigrante që dhunohen. Këto masa të reja, u prezantuan nga vetë kryeministri italian Leta, në një konferencë për mediat. "Ishte e nevojshme që vendi ynë të jepte një shembull të fortë, por që të bënte edhe një ndryshim radikal mbi çështjen në fjalë. Jam shumë krenar që qeveria jonë ka vendosur të ndërhyjë. Masat duhet të japin një sinjal të qartë, për një luftë pa dallim ndaj fenomenit." Edhe në Itali, krimi brenda familjes ka goditur shumë kohët e fundit. Por ndryshe nga çfarë ndodh në Shqipëri, efikasiteti i policisë në parandalimin e dhunës në familje është më i lartë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për ndëshkimin e dhunuesve, apo për trajtimin e viktimave në qendrat sociale.