OKB për te drejtat e njeriut - Vizion Plus - News, Lajme

VizionPlusAlbania 2015-11-23

Views 2

Komiteti i OKB-së për të drejtat e njeriut, gjatë takimit vjetor në Gjenevë të Zvicrës, ka bombarduar me pyetje delegacionin shqiptar për një sërë çështjesh shqetësuese. Nga "21 janari", te Gjakmarrja, Avokati i Popullit, apo të Drejtat e Komuniteteve të ndryshme, ishin pikëpyetjet e ngritura nga anëtarët e këtij komiteti. Duke u ndalur te ngjarjet e 21 janarit 2011, ky komitet me 18 anëtarë, kërkoi sqarime nga pala shqiptare për ecurinë e hetimeve. Përfaqësuesit shqiptarë shpjeguan se katër të dyshuar për vrasjet e "21 janarit" janë shpallur të pafajshëm nga gjykata e shkallës së parë dhe se tashmë, çështja ka shkuar në apel. Ata sqaruan se Zyra e Prokurorisë dhe Policia e Shtetit po punojnë ngushtë për mbledhjen e provave për këtë hetim.

Shqetësuese, sipas anëtarëve të Komitetit të OKB-së, është edhe rasti i gjakmarrjes. Ata kërkuan nga pala shqiptare një numër të saktë të familjeve të ngujuara, pasi në raportet e paraqitura me shkrim, sipas tyre, nuk jepen shumë përgjigjje. Delegacioni shqiptar i drejtuar nga zonja Filloreta Kodra, iu përgjigj edhe pyetjeve për Avokatin e Popullit. "Shumë prej rekomandimeve të avokatit të popullit nuk janë zbatuar, por kjo nuk do thotë që nuk janë marrë parasysh. Ai ka dhënë rekomandime për situatën në burgje, dhe tani po punohet për ngritjen e burgjeve të reja. Avokati ka shprehur shqetësime, për komunitete të ndryshme, si të drejtat e fëmijëve, grave apo romëve. Te gjitha rekomandimet e avokatit, janë pjesë e programit të qeverisë dhe ministrive për të nisur planet. Seanca me Shqipërinë do të vijojë edhe nesër. Më 25 korrik, ky komitet do të japë edhe qëndrimin e tij mbi të drejtat e njeriut në Shqipëri. Sipas marrëveshjes ndërkombëtare mbi të drejtat civile dhe politike, Shqipëria duhet t'i nënshtrohet kontrolleve të rregullta të komitetit për të drejtat e njeriut, në lidhje me zbatimin e të drejtave të njeriut. Hera e fundit që Shqipëria u paraqit përpara këtij komitetit ishte në vitin 2004.

Share This Video


Download

  
Report form