Pas refuzimit që Serbia i bëri ofertës së baroneshës Eshton për marrëveshjen me Kosovën, kryeministri Thaçi shprehet i gatshëm për vijimin e dialogut në Bruksel.
Në një prononcim të shkurtër për mediat serbe, Thaçi, ka deklaruar se dialogu mbetet opsioni i vetëm i arsyeshëm për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës e Beogradit. "Dështimi i dialogut nuk duhet të jetë opsion as i Kosovës dhe as i Serbisë. Për këtë arsye mbetem i vendosur dhe i gatshëm të pranoj çdo ftesë të re për takim të përbashkët në Bruksel që do të caktohej ditëve në vijim nga Eshton", ka thënë Thaçi për gazetën "Blic". Ai shton se Kosova ka bërë shumë kompromise deri më tani dhe ka mbetur konstruktive në përpjekjet për të arritur një marrëveshje. Ndërkaq, edhe Departamenti Amerikan i Shtetit, përmes nëj deklarate, ka inkurajuar Prishtinën dhe Beogradin që të shfrytëzojnë mundësinë për të arritur një marrëveshje, e cila hap dyert e integrimit europian. Një ditë më parë, Sipas tij, qeveria serbe nuk pranoi një plan të përfaqësueses së lartë për politikë të jashtme në BE, Ketrin Eshton, për komunat në veri të Kosovës. Sipas Beogradit zyrtar, propozimi në fjalë nuk përmbush interesat e Serbisë, pasi nuk parashikon përgjegjësi ekzekutive për bashkësinë e komunave serbe në Kosovë dhe kësisoj nuk garanton sigurinë e banorëve. Refuzimi i Serbisë mund t'i kushtojë asaj mosmarrjen e datës për nisjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.