Në raportin e tij të 17-të vjetor mbi lirinë fetare në botë, Departamenti i Shtetit Amerikan thotë se grupet fetare kanë qenë objekt i abuzimit dhe diskriminimit, intolerancës dhe armiqësisë fetare, e cila në kombinim me pakënaqësitë politike, ekonomike, shpesh ka çuar në dhunë. Në pjesën për Shqipërinë raporti thotë se qeveria ka bërë pak përparim në kthimin e pronave të grupeve fetare të konfiskuara gjatë sundimit të regjimit komunist.
Qindra pretendime nga grupet fetare për prona të konfiskuara gjatë regjimit komunist mbeten të pazgjidhura. Në raport përmenden pretendimet e Kishës Ortodokse për rreth 890 objekte dhe prona që ende nuk janë shqyrtuar nga qeveria, përfshirë më shumë se 50 prona të kishave që janë konvertuar në instalime ushtarake. Mosmarrëveshjet mbi pronën dhe vështirësitë e regjistrimit të pronës e kanë bërë të vështirë për disa grupe fetare që të marrin tokë të re për ndërtimin e objekteve të tyre fetare.
Sipas departamentit amerikan te shtetit disa udhëheqës fetarë kanë vazhduar të sfidojnë rezultatet e censusit të vitit 2011, duke akuzuar qeverinë për mosnumërimin e shumë anëtarëve të grupeve të tyre fetare. Raporti gjithashtu përmend pjesëmarrjen e udhëheqësve të pesë feve në meshën që drejtoi Papa Françesku në Tiranë gjatë vizitës së tij atje në shtator të vitit të kaluar.
Në kapitullin për Kosovën, në raport përmendet refuzimi i kërkesës së një kishe evnagjeliste për leje të ndërtimit të një objekti fetar nga autoritetet e komunës së Prishtinës që kontrollohet nga Vetëvendosja, pavarësisht se i gjithë dokumentacioni ishte i rregullt dhe në përputhje me ligjin.