Prokuroria e Përgjithshme ka përfunduar hetimet ndaj Tafajt dhe i ka dërguar dosjen Gjykatës së Lartë. Ish-ministri Tafaj akuzohet se ka akredituar shkollën e lartë universitare ?Vitrina? edhe pse Këshilli i Akreditimit pranë Ministrisë së Arsimit ka qenë kundër dhe e ka refuzuar kërkesën e universitetit.
Sipas prokurorisë, Këshilli i Akreditimit pranë Ministrisë së Arsimit ka kundërshtuar në katër raste kërkesën e ish-universitetit ?Vitrina? për të hapur 4 fakultete. Këshilli ka dhënë vlerësimin negativ për shkak se ishin programe jo cilësore studimi dhe nuk plotësonin përcaktimet ligjore. Ky vlerësim i është dërguar ish-ministrit Tafaj, por ky i fundit, - thotë Prokuroria, - në kundërshtim me ligjin ka firmosur për hapjen e 4 fakulteteve të tjera nga Universiteti ?Vitrina?.
Report TV ka mësuar se bëhet fjalë për urdhrin me numër 381 i 5 gushtit të vitit 2011 firmosur nga Tafaj dhe që akrediton 4 programe në Universitetin Vitrina atë të Inxhinierisë Elektrike, Mekatronikë, Administrim publik dhe Stomatologji. Është pikërisht ky urdhër që ngarkon me përgjegjësi penale ish-ministrin, i cili sipas kërkesës për gjykim rezulton ta ketë shkelur ligjin me dashje të drejtpërdrejtë.
Por prokuroria nga ana e saj shkon më tej, duke e bërë përgjegjës Tafajn dhe për dëmin ekonomik shkaktuar studentëve të cilët i besuan këtyre programeve. Kjo, thotë prokuroria, ka sjellë pasoja financiare për individët dhe për shtetin, si garant i standardeve të larta mësimore, si edhe duke i krijuar favore të pa merituara institucionit arsimor në fjalë.
Myqerem Tafaj do të gjykohet nga Kolegji Penal pranë Gjykatës së Lartë, kjo për shkak se ai është deputet i Partisë Demokratike, mandat të fituar në zgjedhjet e 23 qershorit si deputet në Kamëz. Akuza e shpërdorimit të detyrës Tafajt i është komunikuar në fillim javë, ndërsa këtë të enjte Prokuroria e Përgjithshme ka dorëzuar kërkesën për gjykim pranë Gjykatës së Lartë.
Kallëzimi u bë muaj më parë nga sekretari i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit Plarent Ndreca, ku evidentohej se Tafaj ka përdorur autoritetin e tij si ministër për t?i dhënë akreditimin një shkolle që nuk plotësonte kushtet bazë ligjore.
Universiteti ?Vitrina? u mbyll në aksionin e gjerë që qeveria mori vjet për të mbyllur shkollat që nuk plotësonin kriteret ligjore. Në raportin e MAS kur u vendos për tu mbyllur ?Vitrina?, thuhej se ?një student mund të regjistrohej për të vazhduar studimet edhe nëse dorëzonte një makinë me domate?.