10 gjyqtarë në Republikën e Shqipërisë kanë shkelur rëndë ligjin e për këtë arsye duhet të shkarkohen. Është kjo kërkesa e ministrisë të drejtësisë e cila këtë të premte i është drejtuar këshillit të lartë të drejtësisë dhe kërkohet procedim disiplinor me masën e shkarkimit nga detyra për gjyqtarët.
Ndër shkeljet më flagrantë të konstatuara nga inspektimet e ministrisë së drejtësisë janë ajo e fshehjes së pasurisë nga gjyqtarët si dhe refuzimi për deklarimin e pasurisë.
Në listën prej 10 gjyqtarë 6 prej tyre janë për fshehje e mos deklarim pasurie, 2 prej tyre për mos arsyetim të vendimeve të dhëna gjatë proceseve gjyqësore dhe 2 për shkelje të të rënda të gjyqtarit të cilat cenojnë interesat e palëve në proces.
Në listën e gjyqtarëve kryesojnë çifti i bashkëshortëve Rasim e Enkeleda Doda në Gjykatën e Sarandës, ku tashmë Rasimi është pezulluar dhe është i pandehur pranë krimeve të rënda për akuzën e korrupsionit në vlerën e 80 mijë eurove në këmbim të një vendim.
Po ashtu shkarkim kërkohet dhe për gjyqtarin e Kavajës, Osman Aliu i cili është në një proces gjyqësor për fshehje pasurie.
Vendimet e këtij gjyqtari janë denoncuar si të padrejta dhe nga Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ku i kërkonte presidenti të ndërhynte pasi me vendimi të pajustifikuara liroheshin kriminel që arrestoheshin nga policia në kushtet e flagrancës apo armëmbajtjes.
Lista e gjyqtarëve vazhdon me Ardian Kalian nga Gjykata e Tiranës, Qani Hasën në Elbasan, Petrit Aliajn në apelin e Vlorës, Dhurata Bilo në Durrës, Maksim Qirjazi në Korcë, Ilir Pashai Elbasan dhe Astrit Shema nga gjykata administrative në Vlorë.
Por kur mblidhet KLD e cila duhet të fus në rend të ditës këtë kërkesë? Burime nga ky këshill bënë me dije se mbledhja e radhës është planifikuar për javën e ardhshme, por me shumë gjasë ajo do të shtyhet për në tetor ku do të vendoset nëse do kaloj apo jo kjo kërkesë e Naços.