Kompanitë e Evropën Juglindore duhet të përdorin favoret e Marrëveshjes CEFTA, për të rritur fitimet dhe numrin e të punësuarve. Kështu porositin nga Oda Ekonomike e Maqedonisë, e cila iu sugjeroi edhe shteteve anëtare të kësaj marrëveshje, të përfshihen sa më intensivisht me projekte të përbashkëta.
"Si një shembull do të them se tani në rajon, qeveritë tona nuk ulen që të marrin ndonjë vendim strategjik lidhur me ristrukturimin e hekurudhave në rajonin e CEFTA-s. Secili po punon në mënyrë të njëanshme ose në rastin më të mirë, të dyanshme", deklaroi Lubica Nuri, Oda Ekonomike e Maqedonisë.
Një nga objektivat e CEFTA-s është që deri në vitin 2020 të vendoset produkti rajonal, por edhe kanalet tregtare drejt vendeve të treta. Tani vendet po hyjnë në fazën e dytë të CEFTA-s, objektivi i të cilës është liberalizimi i tregtisë me shërbime, pastaj sigurimi i rrjedhjes së lirë të krahut të punës në rajon, lehtësimi i shkëmbimit me heqjen e pengesave të deritashme, si dhe transparencë më të madhe të masave të qeverive dhe të të të dhënave statistikore.
"Ajo që pritet nga qeveritë tona është bashkëpunim më i madh, në drejtim të informimit dhe të respektimit të ndërsjellë të vetë Marrëveshjes. Mirëpo, gjithashtu duhet të përmendet se ato barriera jo-tarifore kur paraqiten, krijohen për shkak se ambienti ekonomik dhe kapacitetet në rajon janë relativisht të dobëta dhe secili po përpiqet që të gjendet në situatë. Kjo po ndodh... si tani për shembull, me luftën mes Kinës dhe Bashkimit Evropian", tha Lubica Nuri, Oda Ekonomike e Maqedonisë.
Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2012, CEFTA realizoi 58 miliardë euro. Vetëm një pjesë e vogël e kësaj shume u shënua mes vendeve të rajonit, ndërsa pjesa më e madhe, me vendet e treta. Nga Oda Ekonomike sot nuk dëshiruan të komentonin luftën tregtare mes Serbisë dhe Maqedonisë, e cila edhe këtë vit filloi me importin e kushtëzuar të miellit. Organi qendror i Marrëveshjes CEFTA-s dhe Komiteti i Përbashkët, më 22 Korrik do të mbajnë një mbledhje në Beograd në të cilën do të diskutohet për mosmarrëveshjet mes dy shteteve. Natasha Stojanovska