Iniciativa 'Dinjitetit' për referendum kundër emërimeve të ish ushtarëve të UÇK-së në poste publike, është e nivelit të ulët. Kështu ka komentuar këtë nismë të Angellovit, ish komandanti i UÇK-së Seat Ramadani. Sipas tij pikërisht Angellovi dhe të tjerët si ai duhet ta kuptojnë realitetin e pas vitit 2001 në Maqedoni, pasi kjo do të kontribuojë për ardhmëri më të mirë dhe më të sigurt të gjeneratave të reja.
"Në radhë të parë e përshëndes Angellovin dhe konsideroj se duhet të vetëdijesohet edhe ai edhe vet populli maqedonas sepse kjo iniciativë është iniciativë e një niveli shumë të ulët të vetëdijes për shkak se nëse ka dikush që ka kontribuar pozitivisht për mirëqenien e Maqedonisë janë pikërisht pjesëtarët e UÇK -së dhe ata janë siguria e përjetshme ndoshta e Maqedonisë. Nëse ka ndonjë forcë në Maqedoni që mund ta destabilizoj Maqedoninë ajo kur nuk do të jetë UÇK-ja por sigurisht se do të jenë nga radhët që kanë qenë ndoshta kundër UÇK-së ata që do ta destabilizojnë Maqedoninë", tha Sead Ramadani ish komandant.
Ramadani thekson se pjesëtarët e ish UÇK-së duhet të përfaqësohen në të gjitha institucionet e shtetit pasi kanë dëshmuar se janë për mirëqenien e Maqedonisë. Ai madje konsideron se në manifestimet e shumta që organizon pala shqiptare siç ishte manifestimi i djeshëm në Sllupçan, nevojitet që të ketë defile të pjesëtarëve shqiptar nga radhët e ARM-së dhe forcave policore me qëllim që të demonstrojmë barabarësi të qytetarëve në këtë shtet.
"Maqedonia do të jetë gjithmonë për mendimet e UÇK dhe do të jetë jo vetëm në institucione por do të jetë edhe denjësisht e përfaqësuar në institucione të gjithë pjesëtarët e UÇK sepse kanë dëshmuar edhe gjatë luftës dhe pas luftës se janë për mirëqenien e Maqedonisë vetëm se kanë kërkesën për të qenë të barabartë shqiptarët me maqedonët si bashkëqytetar në këtë shtet", deklaroi Sead Ramadani ish komandant.
Iniciativa e dërguar deri në KSHZ nga ana e 'Dinjitetit' në vete përmban katër referendume të pavarura, një kundër ligjit për ndarjen territoriale të vitit 2004, shqyrtimin e interpretimit autentik të ligjit për amnisti, ndalesën për emërimin e ish ushtarëve të UÇK-së në çfarëdo posti publik dhe ndalesën për garantimin me ligj të të drejtave të veçanta për veteranët e UÇK-së dhe familjet e dëshmorëve. Sipas Ligjit për Referendum, nuk ka mundësi ligjore që të shpallet referendum për ligjet që kanë qenë miratuar sipas parimit të Badenterit. Gjyltene Rexhallari