300 punëtore të tre kompanive të ngarkim-shkarkimit në Portin e Durrësit janë ngritur në protestë kundër kompanisë gjermane EMS, e cila ka fituar koncesionin për shfrytëzimin e kalatës lindore të këtij porti.
Kompania gjermane nuk ka lejuar kompanitë e ngarkim shkarkimit të operojnë në kalatën lindore, ndërsa protestuesit e akuzojnë atë për monopolizim të terminalit.
Mësohet se kompania gjermane synon të marrë përsipër vetë shërbimin e ngarkim -shkarkimit në këtë kalatë, ndërsa kjo kundërshtohet ashpër nga kompanitë e tjera.
Kompania EMS, ka fituar kontratën e Konçesionit për operimin në Kalatën Lindore të Portit të Durrësit në datë 06.05.2013 dhe ka filluar aktivitetin e saj më dt 15 korrik 2013.
Sipas kësaj kontrate, kjo kompani mund të ushtrojë aktivitetin e operimit në Kalatën Lindore, pra të menaxhojë të gjithë operacionet që zhvillohen në këtë kalatë.