TIRANË - Dekriminalizimi do të bëhet dhe për këtë bien dakord të gjitha palët politike, por më një ndryshim thelbësor i cili është praktikë e njohur në Shqipëri: Nuk do të ketë projekt të përbashkët maxhorancë-opozitë. Diagnoza është dhënë e qartë nga deputeti Taulant Balla, nënkryetar i komisionit të posaçëm parlamentar për dekriminalizimin i mbledhur këtë të hënë.
Që në nisje të mbledhjes, tonet mes anëtarëve deputetë të partive kundërshtare janë rritur, pasi deputeti Balla kërkoi që në këtë mbledhje të shqyrtohej raporti i komisionit të Venezias për dekriminalizimin, ndërsa demokratët këmbëngulën që debati të çelej me dy draftet e dorëzuara prej tyre në Parlament, atë për ?dekriminalizimin e institucioneve shtetërore? dhe "disa shtesa e ndryshime në Kushtetutën e Shqipërisë". Ky debat zgjati për më shumë se dy orë, derisa u arrit në vendimin që raporti i Venezias të administrohet si pjesë e punës së Komisionit dhe të diskutohet në mbledhjet e ardhshme. Por deri në këtë pikë debati u ?zvarrit? rreth dy orë për një cështje që në fakt palët ishin dakord: Raporti i Venezias është mjaft i dobishëm në këtë proces që do ndërmarrë politika shqiptare, por që prek edhe administratën publike.
Maxhoranca ngriti pretendimet se drafti i opozitës është në kundërshtim me këtë raport, pretendim ky që u hodh poshtë nga kryetari i Komisionit, Oerd Bylykbashi dhe deputeti tjetër i djathtë Eduard Halimi.
Demokratët i konsideruan përpjekje për të shtyrë dekriminalizmin qëndrimin e shumicës që sipas tyre kapet pas praktikave proceduriale.
Një pikë tjetër që shkaktoi debat mes palëve aq sa u desh dhe ndërprerja e mbledhjes me 5 minuta, ishin amendimet kushtetuese që opozita kërkon si domosdoshmëri për ligjin e dekriminalizimit. Mazhoranca u shpreh kundër pasi rregullorja parashikon qartë se nuk është një komision i posaçëm që mund të ndërmarrë një veprim të tillë.
Në fund kryetari i komisionit prezantoi draftin e opozitës, ndërsa në mbledhjen e radhës deputetët e maxhorancës do të parashtrojnë pyetjet e tyre për draftin e opozitës.
Në ditët në vijim shumica pritet të prezantojë draftin e saj për dekriminalizimin, që mesa duket nuk do të jetë i njëjtë me atë të opozitës.
Në shkurt 2015, Kuvendi vendosi ngritjen e komisionit të posaçëm për zbatimin e marrëveshjes maxhorancë-opozitë, e miratuar me unanimitet më 24 dhjetor në parlament.
Debatet ne komisionin e posacem parlamentar per dekriminalizimin
Ora 14:10 Debate për ndryshimet kushtetuese
Braho: Duam të marrim opinionet e forcave politike që përfaqësojmë për ndryshimet kushtetuese, e shtyjmë për nesër
Halimi: Po shkon dy orë për të marrë peng ecurinë e punës së këtij komisioni
Braho: Ju i keni ndryshuar brenda natës dispozitat, s'ke qenë ti atëherë...ndryshimi i kushtetutës nuk bëhet kollaj
Halimi: Të fillojmë njëherë cfarë problemi ka, se dukeni edhe keq, ngrini paqartësi, bëni pyetje...jo test droge, jo ndërprerje mandatesh këto tre gjëra keni ju, pa këto nuk ka dekriminalizim, ne jemi të vendosur ...