Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi nga Fieri ka nisur një tur inspektimesh të shkollave profesionale.
I shoqëruar nga kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi, ministri Klosi vizitoi shkollën profesionale ?Rakip Kryeziu? ku ka parë nga afër kushtet, laboratorët, konviktet e kësaj shkolle profesionale. Ministri Klosi gjatë fjalës theksoi se falë reformave të ndërmara nga qeveria këto dy vitet e fundit numri i nxënësve të regjistruar në shkollat profesionale është rritur me 40 %.
?Reforma që ne kemi nisur për të përfshirë biznesin në drejtimin e shkollave, aplikimi i sistemit dual ku 50 për qind e kohës së shkollës kalohet në klasë dhe 50 për qind në praktikë, pranë një biznesi të caktuar, por edhe bashkëpunimi me partnerët e huaj. Këtë vit numri i të regjistruarve për herë të parë ka pësuar një rritje me afro 40 për qind, krahasuar me dy vite më parë?, - u shpreh Klosi.
Klosi ka vlerësuar punën e kryer deri më tani me krijimin e kushteve sa më të mira për nxënësit të cilët sipas tij kanë arritur në një nivel rekord regjistrimesh.
?Në vitin shkollor 2012-2013, numri i nxënësve të regjistruar në degët Agrobiznes dhe Veterinari ishte vetëm 7 nxënës. Ndërkohë që reforma që kemi ndërmarrë në këto dy vite, por edhe përfshirja e biznesit në administrimin e shkollave tona profesionale kanë rritur interesin e të rinjve për të ndjekur edhe profile plotësisht bujqësore. Ndaj sot, ne në këtë shkollë kemi të regjistruar në vit të parë afro 200 nxënës?, - përfundoi fjalën ministri Bledi Klosi.
Ndërkohë i pranishëm edhe kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi ka siguruar mbështetje për stafin e shkollës, duke bërë të ditur se ka në projekt disa investime që do të rrisnin peshën e shkollës dhe do të ndihmonin në përgatitjen më të mirë të nxënësve.