TIRANË - Gjykata e Lartë instalon sistemin e regjistrimit audio të seancave gjyqësore në të dy dhomat e saj, përfshi Kolegjin Penal dhe atë të proceseve me trup gjykues.
Respektimin e këtij detyrimi ligjor e bën me dije vetë Gjykata e cila me anë të një njoftimit që mban datën 10 shtator 2015 thotë se tashmë është montuar ky sistem dhe janë trajnuar administrata e gjykatës.
Vendosja e regjistruesve u vu re dhe në seancën ku u vlerësua masa e sigurisë për deputetin Armando Prenga ku në foltoren e Kolegjit Penal ishin dy mikrofonë.
Media ka ngritur dhe më parë shqetësimin se Gjykata e Lartë, si një ndër hallkat më të rëndësishme të sistemit të drejtësisë, nuk përdorte regjistrimin audio, shqetësim i cili tashmë duket se ka bindur vetë Gjykatën të respektojë ligjin.
Regjistrimi audio i proceseve gjyqësore aplikohet në 36 gjykata shqiptare, ndërsa ministri i Drejtësisë Nasip Naço pak kohë më parë ka promovuar dhe projektin e qeverisë për regjistrimin video-audio të proceseve qofshin ato penale dhe civile.