TIRANË - Tri dhjetë e tre punonjës policie janë arrestuar në gjashtë muajt e parë të vitit 2015. Në raportin e Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesat konstatohet se shumica e tyre janë përfshirë në trafiqe të ndryshme. 28 prej të prangosurve janë oficerë të policisë. Mbi 5 prej të arrestuarve rëndon akuza si bashkëpunëtorë në krime të ndryshme.
Ndër rastet më flagrante të arrestimeve, Shërbimi i Çështjeve të Brendshme ka renditur atë të oficerit të Policisë Hamëz Demushi si dhe një bashkëpunëtori të tij në rrjetin e trafikut të drogës Shqipëri-Kosovë.
Në banesën e tij hetuesit gjetën pas ndalimit, 3.6 kg heroinë dhe gjysmë kg kokainë. Po ashtu përmendet edhe ndalimi i tre ish- punonjësve të Prokurimeve në Policinë e Shtetit, Kol Kukaj, Agim Hysko dhe Besjana Martini, të akuzuar për abuzime me tenderin e kamerave të Policisë së Shtetit.
Ndërkaq për 28 oficerët e arrestuar nga Shërbimi i Çështjeve të Brendshme, Policia e Shtetit ka marrë masën e përjashtimit për ta, pas arrestimit të kryer ndaj tyre apo pas vendimeve të gjykatave.
Që prej janarit të vitit 2015, SHÇBA ka administruar 130 kallëzime penale, nga të cilët 110 janë për punonjës policie të roleve të ndryshme, 3 efektivë të Gardës së Republikës dhe 19 qytetarë të ndryshëm jashtë strukturave policore.
Sipas Raportit gjatë hetimit administriv të ankesave janë evidentuar shkelje të shumta administrative, kryesisht ato të mosushtrimit të kompetencave policore të miratuara në Procedurat Standarde të Punës. Një tjetër shqetësim i vërejtur nga SHÇBA, mbetet edhe intervistimi më i hollësishëm i personave në pikat e kalimit kufitar me qëllim parandalimin e rasteve të azilkërkimit.
Arrestime
33 persona të arrestuar
28 punonjës të policisë
5 shtetas bashkëpuntorë të tyre
Procedimet penale
- 110 kallëzime penale
- 132 persona të ndjekur penalisht
- 2 punonjës policie i nivelit të mesëm drejtues,
- 37 punonjës policie i nivelit të parë drejtues,
- 86 punonjës policie të nivelit zbatues,
- 4 punonjës policie civil,
- 3 punonjës të Gardës
- 19 shtetas.
Sekuestruar
3.6 kg e dyshuar e llojit kokainë
0.5 kg e dyshuar heroine