TIRANË - Pas një viti mungesë PS mbledh të shtunën forumin e dytë më të rëndësishëm Asamblenë Kombëtare. Mbledhje e cila pritet të marrë vendime të rëndësishme që nga analiza e zgjedhjeve e deri tek kongresi zgjedhor që do të caktohet në dhjetor.
250 anëtarët e kësaj strukturë janë thirrur pas një mungese prej mbi 1 viti, dhe pritet të marrë disa vendime që i hapin rrugë ristrukturimin të plotë të partisë më të madhe në mazhorancë. Fillimisht asambleja do të ndalet te analiza e plotë e rezultatit sidomos në ato bashki ku u regjistrua dhe humbje e të majtës.
Një tjetër pikë është ngritja e një grupi pune që do merret me procesin e riorganizimit të plotë, duke filluar me zgjedhjen e kryetarit të partisë Edi Rama sipas parimit një anëtar një votë, për të vijuar me tej me zgjedhjen e strukturave të tjera, duke filluar me delegatët e kongresit, anëtarët e rinj të asamblesë dhe kryesisë.
Në fokus do të jetë dhe riorganizimi i ri, ku partia do të ndahet në 61 njësi, duke e përshtatur me ndarjen e re territoriale.
Gjithë procesi do kulmojë në dhjetor kur do të mblidhet edhe kongresi. Kryetari socialistëve Edi Rama në mbledhjen e grupit parlamentar, tha se deri në zgjedhjet e vitit 2017, PS do jetë një parti e rinovuar plotësisht, ndërsa përcaktoi edhe objektivin për të rritur numrin e anëtarëve me 50 mijë, duke e çuar nga 100 mijë në 150.