TIRANE - Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri është rikthyer në shkollën "Sami Frashëri" ku kreu gjimnazin, por këtë herë në postin e ministrit për të bashkëbiseduar me nxënësit për çështjet e rendit dhe sigurisë publike. Ministri Tahiri tha se policia e vetme nuk mund të kthehet në "digën" ku përballet gjithë problematika e një shoqërie, por duhet të jenë vetë qytetarët ata që luajnë rolin e tyre duke denoncuar nga njëra anë dhe duke ushtruar presionin e duhur ndaj autoriteteve shtetërore, kur këto nuk kryejnë detyrën.
"Në qoftë se do t'ju pyesja sa prej jush i kanë rënë qoftë edhe njëherë të vetme numrit 129, për të raportuar çdo lloj shkelje, që nga semafori i kuq deri tek dhuna në familje tek një komshiu juaj? Por di t'ju them se ne sot vuajmë percepsionin e gabuar, sipas të cilit është Policia për të gjitha. Nuk është kështu dhe nuk mund të jetë kështu. Nuk është Policia për të gjitha, nëqoftëse nuk janë qytetarët për veten e tyre. Dhe niset nga qytetarë të mirë për të ndërtuar sigurinë, deri tek diga e fundit që besoj unë është Policia.Nëqoftëse ju ndërtoni këtë mekanizmin parandalues, që rrezikun e tjetrit ta konsideroni edhe rrezikun tuaj, edhe të të gjithëve, ja dalim të gjithë bashkë që ta bëjmë më të mirë këtë shoqëri". tha ministri
Ky bashkëbisedim me gjimnazistët e "Sami Frashërit" në Tiranë, ishte i fundit në turin e takimeve që Ministria e Punëve të Brendshme inicioi pak muaj më parë, për të rikthyer besimin e qytetarëve tek forcat e rendit, në kuadër të nismës "Policia e Shtetit -- Policia jote".