A1 Report - Basha: Gati per nisje te re, do te promovojme vlera jo narkotrafikante

Report TV 2015-08-22

Views 0

MAT - Kryetari i PD-së Lulzim Basha ishte i pranishëm në Kuvendin e XI zgjedhor të degës së Matit ku u zgjodh dhe Kryetari i PD për këtë degë, por në njoftimin zyrtar të PD nuk bëhet i ditur emri i tij. Ky proces është paraprirë nga regjistrimi dhe riregjistrimi i anëtarësisë së PD të cilin Kryetari i demokratëve Lulzim Basha e ka cilësuar jetike për një parti që ka, e do të ketë në themel sipas tij të organizimit dhe sistemit të saj të karrierës votën e lirë të anëtarëve të saj.

Basha theksoi se Partia Demokratike po përgatitet për një nisje të re pas daljes në opozitë duke shtuar se zgjedhjet në PD po sjellin forca dhe energji të reja.

"Me zgjedhjet në seksione, në bazë të statutit dhe udhëzimit të lëshuar, partia ka përjetuar në themelin e saj përtëritjen dhe qarkullimin e nevojshëm të një numri të madh të zgjedhurish, duke sjellë në krye të seksioneve forca të reja, energji të reja, frymëzime të reja, synime të reja, pa të cilat një parti politike nuk ka jetë, nuk ka të ardhme. Qarkullimi drejtuesve politike të çdo niveli është një parim i partive demokratike moderne që zbatohet e duhet të zbatohet në vijimësi, në çdo kohë dhe sidomos në kohën kur partia humbet zgjedhjet, siç i kemi humbur ne, kur kalon në opozitë siç kemi kaluar ne, kur fillon të përgatisë nisjen e re, siç po bëjmë ne", tha Basha.

Ndër të tjera, kreu i opozitës nënvizoi se kriter i panegociueshëm i drejtuesve dhe të zgjedhurve të rinj do të jenë kapacitetet politike dhe intelektule, dhe jo, siç theksoi ai, si mazhoranca e sotme që promovon narkotrafikantët.

"Ne, Partia Demokratike kemi një sfidë dhe një mision qytetar e kombëtar: Të reflektojmë, nga një anë, për çdo rast të degradimit dhe shkarjes nga parimi i meritës dhe vlerave në radhët tona. T'i dalim përballë nga ana tjetër dhe t'i përgjigjemi me vendosmëri, me njerëzit me të zotë që ka nxjerrë familja dhe shoqëria shqiptare, shkolla shqipe dhe shkollat e botës ku kanë studiuar e po studiojnë shqiptarët, projektit ogurzi në veprim të kundërshtarëve tanë të provomimit të narkotrafikantëve dhe individëve me rekorde kriminale në politikë, në administratë, në drejtim, duke poshtëruar popullin e duke rrezikuar seriozisht të ardhmen demokratike të vendit", tha Basha.

Partia Demokratike ka nisur mbajtjen e kuvendeve zgjedhore në mbarë vendin për të kulmuar në fund me Kuvendin Kombëtar.

Share This Video


Download

  
Report form