BDI-ja ka marrë më pak, ndërsa VMRO-ja më shumë seç duhej nga kulaçi qeveritar. Kështu vlerësojnë akademiku Abdylmenaf Bexheti dhe analisti Nikolla Popovski, gjatë debatit në 'Rruga Drejt' lidhur me marrëveshjen e arritur për formimin e Qeverisë. Madje sipas Bexhetit, ndarja aktuale është edhe më e vakët krahasuar me përbërjen e deritanishme.
'Duke u nisur nga pozicioni kryesor, një nga 3 pozicionet në shtet. Më pas së paku 1 nga 3 apo 4 ministritë bazike. Një nga 3 institucionet më të rëndësishme që janë të sigurimit publik dhe kundërzbulimit e kështu me radhe, u pa se në asnjë nga këto 3 nivele të pozicioneve politike nuk u arrit. Bile mendoj se ka edhe një dobësim shumë të shprehur me faktin e lëshimit të Ministrisë së Mbrojtjes. Për nga aspekti i shtetbërjes, për nga aspekti i konstituencës. Se për herë të parë shqiptarët morën një nga ministritë e cila ka një peshë dhe relevancë specifike në strukturën e shtetit', deklaroi Abdulmenaf Bexheti, akademik.
Poopovski nga ana tjetër vlerëson se arsyetimi i BDI-së, se kanë sakrifikuar çështjet politike me qëllim anëtarësimin në NATO në shtator, mund të kthehet në dëshpërim tjetër për partinë e Ahmetit. Nikolla Popovski vlerëson se nuk ka asnjë shans që Maqedonia të pranohet në NATO në Samitin e Britanisë pa ndërruar emrin, pavarësisht shpresave të autoriteteve.
"Nuk ka asnjëfarë shansi. Maqedonia ka një përfundim të qartë që prej prillit të vitit 2008 në Bukuresht se neve nuk na duhet më samit i NATO-s por na duhet zgjidhje e çështjes së emrit, kurse kjo çështje është bartur në nivel ambasadorësh në Bruksel, kinse atje do ta zgjidhnin. Pa zgjidhje të çështjes së emrit nuk kemi asnjë mundësi. Në atë periudhë tek NATO-ja kishim arritur deri në atë pikë që emri të bëhet pengesë. Por, tani dyshoj që pas zgjidhjes së çështjes së emrit dikush nuk do të hapë edhe probleme të tjera në lidhje me NATO-n", deklaroi Nikolla Popovski, ish ministër i financave.
Ekspertët vlerësojnë se qëllimi parësor i VMRO DPMNE-së dhe BDI-së ishte mbetja në pushtet. Për këtë qëllim, sipas tyre, realizuan bashkërisht edhe skenarin për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Benjamin Arifi