ITALI- E përditshmja italiane, "Corriere della sera" ka hyrë në zemër të Libanit, në Bachour, për të takuar liderin e grupit islamik "Hazbollah", Ebu Ali Alzalam. E përditshmja italiane ka vënë në qendër të shkrimit një ditë të zakonshme në Bachour, zonën që kontrollohet tërësisht nga forcat e grupit të njohur "Hezbollah".
Ideja e këtij shkrimi lindi pas zgjedhjeve të 3 qershorit në Siri ku fitoi bindshëm lideri Bashar-Al Assad, me mbështetjen e forcave islamiste të këtij grupi. Ajo që pranohet gjerësisht është se "Hezbollah" është një nga grupet më të fuqishme shiite në Lindjen e Mesme me një ndikim të fortë në mbështetjen e regjimit të Assad. Ky grupim është përcaktuar si forca politiko-fetare më e fuqishme në Lindjen e Mesme, e cila kryen edhe akte terroriste.
Grupi i gazetarëve që morën guximin të futeshin në Liban janë shoqëruar nga disa truproja dhe përkthyes të "Hezbollah" përgjatë gjithë zonës së rrethuar. Gazetarë të "Corriere della serra" kanë biseduar gjerësisht mbi programin dhe pritshmëritë e këtij grupi. Grupimi ka vendosur kontrollin e tij në shumë qytete kryesore të vendit, çka është përcaktuese edhe për mënyrën e jetesës së popullsisë.
Gazetarët e kanë të pamundur të fotografojnë zonat e kontrolluara pa lejen e grupit që patrullon zonën. Lideri Ebu Ali Alzalam shpjegoi gjatë intervistës pritshmëritë e Hezbollah. Por, siç e përshkruan e përditshmja italiane, nuk janë idetë e tij autentike, por përgjgje të modeluara nga eprorët e tij.