Ministri i Arsimit dhe Shkencës Spiro Ristovski largohet nga posti i tij, pa barrën e problemit që për shqiptarët nuk u zgjodh prej vitesh, atë të emrave të 4 shkollave në Çair. Ristovski tha sot se këto shkolla e kanë përfunduar me sukses vitin shkollor dhe iu kanë ndarë po ashtu dëftesa, nxënësve, ashtu siç parasheh ligji. Ai nuk sqaroi saktë nëse si sukses llogarit faktin që sa ishte në krye të këtij dikasteri, mbajti të palëkundur emrat e heronjve maqedonas në shkolla.
"Unë, me sa jam i informuar për shkollat në fjalë, viti shkollor përfundoi dhe u ndanë dëftesa, ashtu siç parasheh ligji", tha Spiro Ristovski -- Ministër i Arsimit dhe Shkencës.
Ristovski, gjatë gjithë kohës që ishte në krye të ministrisë, i përgjigjej pyetjeve të televizionit ALSAT se një zgjidhje do të gjendet, por në fakt, çështja mbeti zvarrë sot e kësaj dite.
"Vazhdojnë bisedimet me komunën e Çairit. Interesi ynë si ministri kompetente dhe e Komunës së Çairit janë nxënësit, dhe nuk do të lejojmë që në asnjë fazë, asnjë prej nxënësve në ato 4 shkolla të ketë problem. Shoh gatishmëri te Komuna e Çairit, që bashkërisht të gjejmë zgjidhje të pranueshme që në fund të kësaj situate të mos kenë asnjë problem nxënësit", kishte thënë Spiro Ristovski -- Ministër i Arsimit dhe Shkencës (22.06.2013).
Dy ditë më parë kur edhe përfundoi viti shkollor, drejtorët e shkollave të lartpërmendura thanë se emrat e rinj "Imri Elezi" "Ismail Qemali", "Hasan Prishtina" dhe "Jashar Bej Shkupi" përdoren vetëm në komunikimin me komunën, organizata të ndryshme dhe pothuajse të gjitha institucionet, përveç Ministrisë së Arsimit. Edhe këtë vit dëftesat e nxënësve u lëshuan me emrat e vjetër të "Nikolla Vapcarov", "Rajko Zhinzifov", "Cvetan Dimov" dhe "Jane Sandanski". Shpresat për zgjidhjen e kësaj çështje tani varen tek ardhja në krye të kësaj ministrie e titullarit shqiptar, Abdilaqim Ademi. Valmir Kuçi