PARIS- Ura e Artit mbi lumin e Senës në qendër të Parisit ka pësuar një shembje në njërën anë të saj prej mbingarkesës së madhe nga "Drynët e Dashurisë" të vendosura nga çiftet e dashuruar. Autoritetet e kryeqytetit francez raportuan në media se nuk ka patur asnjë të lënduar nga ky incident por atyre ju desh të mbyllnin për pak orë urën deri sa të përfundonte rregullimi i saj.
Një çift grek, Polina dhe Kostantinos, që ishin në muaj mjalti në Paris lanë mesazhin e parë në panelin e krahut të zëvendësuar të urës, para se të mësonin se ajo ishte rrëzuar vetëm pak ditë më parë. Kostantinos tha se nuk e kishte menduar ndonjëherë se ura mund të rëndohej nga drynët e vendosur aq sa për të patur pasoja të tilla dhe pse ishte e kuptueshme po të mendoje peshën e të gjithë drynëve të vendosur aty. Ai bashkë me Polinën shtuan se drynët ishin një simbol shumë i veçantë i dashurisë dhe se do të ktheheshin sërisht për ta vendosur dhe ata një të tillë.
Kjo traditë ka filluar vite më parë në urat e Parisit dhe të vendeve të tjera të Evropës nga çifte të dashuruarish për të simbolizuar dashurinë e tyre të përjetshme me mbishkrimet e emrave të tyre. Pas vendosjes së kyçit zakonisht çelësin e hedhin në lumë. Çifti amerikan Steve dhe Pat Amitrano, nga New Jersey i Shteteve të Bashkuara vendosën në urë një dry për 34-vjetorin e tyre të martesës dhe nuk duken të shqetësuar për rrezikun e shtimit të peshës në urë.
Autoritetet e Parisit, të cilët inspektuan dhe zëvendësuan panelët e urës të cilat u dëmtuan nga pesha e madhe e "drynëve të dashurisë", treguan se kanë marrë telefonata për ta bllokuar këtë praktikë, ose për ta kaluar në territor tokësor; por të tjerë mendojnë se kjo do të dëmtonte industrinë e turizmit në qytet si dhe reputacionin e Parisit si qyteti i dashurisë.
Të njëjtin problem me dëmtimin e anëve të urës kanë dhe shumë qytete si Moska apo Melburni.