Ish-pronarët e komunës Labinot-Fushë në Elbasan kanë protestuar, për tjetërsimin e pronave, të cilat kanë qenë ish-magazina të rezervave të shtetit.
Sipas tyre, trualli i ish-rezervave të shtetit, duhet t'u kthehet banorëve, pasi ata janë pronarë të ligjshëm. Konflikti ka nisur 5 muaj më parë, kur ish përgjegjësi i rezervave të shtetit Pëllumb Hyseni i ka privatizuar këto prona për djalin e tij Julian Hyseni. Banorët kërkojnë ligjshmërinë mbi pronat e tyre, ndërsa i bëjnë apel instancave përkatëse që të ndërhyjnë për zgjidhjen e këtij problemi.
Ndërkohë edhe kryetari i komunës Labinot Fushë, Osman Qosja e ka cilësuar privatizimin e ish rezervave të shtetit si të paligjshëm, pasi nuk është marrë leje në komunë, nga ana e privatizuesve.
"Bëhet fjalë jo vetëm për pjesën e rezervave,por edhe për pjesën 2 hektarë që është pjesë komunale.
Kemi bërë ankesa sipas ankesave që ka pasur komuniteti gjithë ministrive përkatëse, edhe zyrës së regjistrimit të pasurisë në qendër, por kanë rënë në vesh të shurdhër. Privatizimi për mendimin tim është i paligjshëm dhe pa miratimin e komunës." -tha kreu i komunës së Labinotit, Osman Qosja.
Bashkë me privatizimin e truallit të ish rezervave të shtetit, privatizuesi Pëllumb Hyseni ka tentuar të bllokojë edhe rrugën e fshatit Griqan i poshtë, e cila lidh këtë fshat me komunën Labinot-Fushë, duke indinjuar kështu banorët e zonës.