Maqedonia ende nuk ka qëndrim se si do veprojë lidhur me gazsjellësin 'Përroi Jugor'. Kjo u bë e ditur nga kreu i Agjencisë për energjetikë pas vendimit të djeshëm të Bullgarisë dhe paralajmërimeve të sotme nga Serbia se do ndërpresin realizimin e këtij projekti i cili pas një apo dy viteve pritej që sasi të mëdha të gazit rus të dërgojë për në Evropën Perëndimore.
"Rreth kësaj çështje do të bisedohet kur të mësohen të gjitha faktet. Bullgaria zyrtarisht ende nuk është deklaruar për ndërtimin e gazsjellësit", u shpreh Aleksandar Dukovski, drejtor i Agjencisë për energjetikë .
Ndryshe, sot nga Serbia rreth kësaj çështje vijnë informata kontradiktore. Së pari zëvendëskryeministrja serbe Zorana Mihajlloviq deklaroi se Serbia do detyrohet ta shtyjë fillimin e ndërtimit, por pas dite kryeministri Aleksandar Vuçiq theksoi se punët për momentin ecin sipas dinamikës së paraparë. Çdo vendim ndryshe, tha ai, patjetër do duhet të kalojë në Qeveri. Zhvillimi i këtillë i ngjarjeve rreth këtij projekti të rëndësishëm ndërkombëtarë filloi dje. Kryeministri bullgar, Pllamen Oreshanski papritmas informoi se projekti për gazin rus do të ndërpritet dhe do vazhdojë vetëm kur të hiqen të gjitha vërejtjet e Brukselit i cili vlerëson se me projektin shkelen disa ligje evropiane të energjetikës. Vendimi i këtillë i Sofjes pasoi pas vizitës së disa kongresmenëve amerikan në Bullgari. Ndërkohë, ish presidenti Bullgar, Georgi Prvanov, deklaroi sot se ndërprerja e punimeve është e papranueshme dhe se Bullgaria nuk duhet të jetë peng i lojërave gjeopolitike. Lideri i opozitës Bojko Borisov, kërkoi dorëheqjen e qeverisë. 'Përroi Jugor' duhet të fillojë në Rusi dhe përmes Detit të Zi dhe Ballkanit dërgon gaz drejtë Italisë. Verica Pavllovski