Shkup, nisin protestat pas pretencës për rastin "Monstra"

Report TV 2015-08-22

Views 6

SHKUP - Protesta masive janë mbajtur këtë të premte në Shkup, për rastin "monstra", për të cilin janë në gjykim 6 shqiptarë të Maqedonisë, të akuzuar për vrasje të pesëfishtë të 4 të rinjve maqedonas dhe një peshkatari. Shkak për këtë protestë është bërë pretenca e prokurores së çështjes Gordana Geshkovska, ku kjo e fundit kërkoi burg përjetë për të akuzuarit. Nga ana tjetër ajo që i ka irrituar protestuesit ka qenë fakti se prokurorja, e ka lidhur vrasjen e maqedonasve me motive etnike dhe fetare. Ja se si shprehet Bedri Aziri, vëllai i njërit prej të akuzuarve.

"Duke e ditur se ne jemi të pafajshëm, kjo është mënyra demokratike për të shprehur revoltën kundër Prokurorisë së Maqedonisë. Ne po kërkojmë drejtësi, ne nuk po kërkojmë mëshirë, ne kemi ardhur këtu në mënyrë dinjitoze të shprehim pakënaqësinë tonë kundër një institucioni, i cili bënë ndarje etnike dhe fetare, po bënë poshtërimin e shqiptarëve dhe të një besimi që është i pranuar me ligj në Maqedoni, ai është myslimanizmi. Ne nuk jemi Al Kaeda, ne nuk jemi terroristë, ne nuk jemi vrasës. Rastet janë të montuara, nuk është ky rasti i parë por shpresoj të jetë i fundit"

Në vijim, protestuesit e kanë cilësuar procesin gjyqësor për rastin Monstra, si të montuar. Pikërisht për këtë arsye, ata kanë bërë thirrje për drejtësi. Ndërkohë prokurorja Gordana Geshkovska gjatë pretencës tha se shkak i vrasjes, ka qenë feja dhe etnia.

Aktakuza e ngritur prej pesë faqeve ngarkon për vepër terrorizëm dhe vrasjen e kryer Alil Demirin, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Aziri, Rami Sejdini si dhe Haki Haziri për ndihmën e dhënë gjatë kryerjes së aktit të vrasjes. Vrasja e pesëfishtë në Smilkovc ndodhi më 12 prill 2012 në liqenin pranë fshatit Smilkovc të Shkupit, ku u vranë katër të rinj maqedonas dhe një peshkatar. Pas kësaj vrasje, MPB më 1 maj ndërmori operacionin "Monstra", ku arrestoi dhjetëra veta, të gjithë shqiptarë, përfshirë gra dhe të moshuara, duke i akuzuar për kryerjen e vrasjes dhe përfshirjen në të.

Share This Video


Download

  
Report form