Pasioni për futbollin ndonjëherë nuk ka limite dhe rasti i këtij tifozi është një shembull perfekt për këtë. Ky është Nelson Paviotti, një tifoz i çmendur i skuadrës së Brazilit i cili ia ka kushtuar jetën e tij skuadrës së zemrës dhe ka mbi 20 vite që vishet më ngjyrat nacionale të Brazilit.
Gjatë ditës ai është një avokat i zakonshëm, por pas kësaj fshihet një pasion mbi 20 vjeçar për t'ia dedikuar çdo moment të jetës skuadrës së Brazilit, ndaj çdo veshje e tij, madje dhe shtëpia e makina kanë ngjyrat nacionale, të verdhë dhe jeshile. Dy dekada më parë, në botërorin e vitit 1994 Paviotti bëri një premtim se nëse skuadra e zemrës së tij do të shkëlqente ai do të vishte për gjithë jetën ngjyrat e Brazilit.
Dhe fati i tij u shënua kur Brazili u shpall fitues.
Nga ajo ditë ai e ka limituar veshjen e tij vetëm më ngjyrat e flamurit kombëtar, të verdhë, jeshile, blu dhe të bardhë.
Paviotti thotë se vendimi i tij është një shprehje e dashurisë dhe mbështetjes për vendin e tij. "Unë ndihem si një patriot i cili dashuron Brazilin, tokën dhe njerëzit e tij dhe jam plot me shpresë për një të ardhme sa më të mirë të Brazilit, një të ardhme shpresdhënëse për një jetë më të mirë për të gjithë kombin tonë" është shprehur ai.
Pasioni i Paviottit nuk mbeti vetëm tek gardaroba por dhe më tej; muret e shtëpisë së tij janë mbushur me objekte nacionale të Brazilit sikur të ishte një vend i shenjtë.
Nëpër mure mund të gjesh fotografi të lojtarëve të famshëm të 20 viteve të fundit por dhe të ditëve tona, si dhe shumë karikatura. Por më e rëndësishmja është kjo foto e skuadrës së vitit 1994 nga ku nisi e gjitha.
Por nuk mbaron me kaq, të dy makinat në garazhin e tij janë të lyera të gjitha me ngjyrat nacionale.
Ai është shumë i njohur nga të gjithë banorët e qytetit të tij Campinas, pasi është shndërruar në një lloj monumenti të gjallë të Brazilit.
Paviotti tha ndër të tjera se ishte shumë i entuziasmuar që këtë vit Kupa e Botës do të zhvillohej në vendin e tij pasi kjo ishte shumë e rëndësishme për Brazilin. "E gjithë vëmendja do të jetë e përqëndruar tek ne dhe kështu do të kemi mundësi të përcjellim mesazhet tona, të njihemi dhe të shpalosin vlerat e vërteta që mbartim" është shprehur ai.
Banorët e qytetit e vlerësojnë pasionin e Paviottit si diçka interesante dhe pse jo në favor të reklamimit pozitiv të vendit, u shprehen dy studente. Por dhe pas 20 vitesh Paviotti nuk resht së surprizuar njerëzit me nivelin e tij të përkushtimit. Një tjetër student, Brunno, habitet pafund teksa shikon se edhe bokset e tij janë me ngjyrat dhe stemën e flamurit Brazilian.
Hapja e Kupës së Botës do të bëhet më 12 qershor me ndeshjen mes Brazilit dhe Kroacisë të Grupit A në San Paulo, Brazil.