MIRDITE - Gjermania është fuqimisht e angazhuar që të investojë në Shqipëri në të gjitha fushat, kjo për t'i dhënë një zhvillim vendit tonë. Kështu është shprehur nga Mirdita, ambasadori gjerman në vendin tonë, Helmut Hofmann, i cili ishte i pranishëm së bashku me disa biznesmenë dhe një grup motoristësh, të cilët kanë sjellë në Mirditë 5 kamionë me ndihma për spitalin e Rrëshenit.
Ata janë pritur në një ceremoni madhështore të organizuar në sheshin kryesor të qytetit, ku kanë marrë pjesë autoritete vendore, si dhe dhjetëra qytetarë.
"Ju e dini që Gjermania është shumë e angazhuar në Shqipëri, teksa mund të them se është donatori më i madh bilateral. Ne jemi të angazhuar në projekte të fuqishme si ndërtime ujësjellësish, hidrocentralesh, dhe projektesh të tjera më rëndësi strategjike.
Këto iniciativa janë shumë të rëndësishme për të forcuar marrëdhëniet mes vendeve dhe mbi të gjitha për të shfrytëzuar çdo mundësi zhvillimi", tha ambasadori i Gjermanisë në vendin tonë Helmut Hofmann.
Nga ana tjetër kreu i bashkisë së Rrëshenit, Ndue Gega, ka falënderuar shoqatat gjermane për humanizmin e treguar duke ndihmuar Spitalin e Rrëshenit me bazë materiale.
"Siç e shihni qyteti i Rrëshenit është rimbushur sot më shumë se kurrë ndonjëherë, jo vetëm me ndihmat bujare për shëndetin e popullit të kësaj krahine, jo vetëm me vizitorët e mahnitshëm nga disa qyteet të evropës mbledhur në rrjetin e motoristëve Eurobiger, por edhe me mesazhe të forta afrimiteti e bashkëpunimi në mes popujve tanë "- tha Ndue Gega.
Realizimi i kësaj veprimtarie, ka përcjellë mesazhe të rëndësishme të solidaritetit dhe të integrimit evropian të vendit tonë, ndërsa ky aktivitet ka shërbyer për të promovuar edhe turizmin malor në këtë zonë.
200 motoristët gjermanë kanë vizituar edhe disa zona të Mirditës, duke eksploruar bukuritë e shumta të kësaj zone.