Luftëtarët e të ashtuquajturit Korpusi Vullnetar Popullor njoftuan rrëzimin e një helikopteri të ushtrisë ukrainase në qytetin Sllavjansk. Informacionin e konfirmoi edhe ushtruesi i detyrës së presidentit të Ukrainës, Oleksander Turçinov.
"Terroristët pro-rusë, të armatosur me kundërajrorë të prodhimit rus rrëzuan helikopterin tonë. Gjatë sulmit humbën jetën 14 ushtarë tanët. Në mesin e viktimave është edhe një gjeneral", tha Oleksander Turçinov, Ushtrues Detyre i Presidentit të Ukrainës.
Sulme ndaj objekteve ushtarake u regjistruan gjatë gjithë natës në rajonin e Luganskut. Garda Kombëtare e Ukrainës bëri të ditur se gjatë shkëmbimit të zjarrit, humbje u regjistruan nga të dyja palët. Ndërsa ministri i Jashtëm rus bëri thirrje për ndërprerjen e luftimeve, kryeministri ukrainas akuzoi se nga kufiri rus po hyjnë grupe të armatosura.
"Situata nuk mund të kapërcehet vetëm duke bërë thirrje për bisedime. Duket se për ndërprerjen e dhunës nevojiten hapa më seriozë. Mbi të gjitha, dy palët në konflikt duhet të kenë respekt për njëra-tjetrën", tha Sergej Lavrov, ministër i jashtëm i Rusisë.
"Situata në lindje të vendit është shqetësuese. Ditëve të fundit, kamionë me armatime dhe luftëtarë guerilë hyjnë përmes kufirit me Rusinë. I bëjmë thirrje Rusisë që t'i bllokojë kalimet kufitare dhe të parandalojë hyrjen e militantëve në territorin tonë", u shpreh Arsenij Jatsenjuk, kryeministër i Ukrainës.
Nga ana tjetër, ambasadori i Rusisë në OKB Vitali Çurkin tha se Këshilli i Sigurimit duhet të kërkojë që Ukraina t'i japë fund kaosit të luftës. Por ambasadori i Ukrainës në të njëjtën organizatë ndërkombëtare, Juri Sergejev, kërkoi që Këshilli i Sigurimit të angazhohet që Rusia të tërheqë të gjithë ushtarët e vetë nga territori i Ukrainës. Petar Bllazhevski